Në këto ditë të ftohta dimri nuk do të gjeni asgjë më të ngrohtë dhe të shijshme sesa aroma dhe shija e një pjate supë!

Ndonëse në web mund të lexoni disa receta supash të chef Renatos, ne ju ftojmë të sfidoni kreativitetin dhe të përgatisni receta fantastike tradicionale nga 4 shtete të botës.

Lexoni më shumë dhe surprizoni të dashurit apo miqtë tuaj me këto pjata të ngrohta. Mund të ndani me ne foto të pjatës finale ose të sugjeroni produkte për t’i shtuar!

Supa Avgolemono nga Greqia

avgolemono
Burimi: ClosetCooking

Avgolemono është një supë e trashë me aromë fantastike që përgatitet me mish pule, vezë, oriz dhe lëng limoni.

“Avgolemono” përkthehet nga greqishtja në “Vezë-limon”. Ajo është një recetë e lehtë për t’u bërë në më pak se 30 minuta dhe me vetëm 8 përbërës.

Koha e përgatitjes: 5 min | Koha e gatimit: 25 min | Racione: 4

Përbërësit

  • 1 lugë gjelle vaj
  • 1 qepë e prerë
  • 6 filxhanë lëng ose koncentrat mish pule
  • 1/2 filxhan oriz arborio
  • 3 vezë, të rrahura lehtë
  • 2 filxhanë mish pule të gatuar
  • 2 limonë të shtrydhur
  • 2 lugë pastë të bardhë Miso (opsionale)
  • Kripë për shije

Përgatitja

Hapi 1 | Ngrohim vajin në një tigan me nxehtësi mesatare. Shtojmë qepën dhe e gatuajmë deri sa të zbutet, rreth 3-5 minuta. 

Hapi 2 | Shtojmë lëngun e pulës dhe orizin, dhe i vendosim që të ziejnë. Ulim nxehtësinë e zjarrit dhe e lëmë të ziejë derisa orizi të jetë gatuar, rreth 15-20 minuta. 

Hapi 3 | Shtojmë ngadalë 1 filxhan të lëngut të pulës të nxehtë në enën me vezë të rrahura, ndërkohë që i përziejmë. Më pas i shtojmë në enën që po gatuajmë supën.

Hapi 4 | Shtojmë mishin e gatuar të pulës, lëngun e limonave dhe i gatuajmë për rreth 5 minuta. 

Hapi 5 | Heqim enën nga zjarri. Përziejmë 1/4 filxhan lëng të nxehtë të pulës me pastë miso dhe pastaj e vendosim përzierjen në supë, duke u hedhur kripë.

Caldo de pollo nga Meksika

caldo-pollo
Burimi: GirlandtheKitchen

Supa e pulës meksikane “caldo de pollo” përmban shumë përbërës të shijshëm, si jalapeno, koriandër dhe avokado.

Ndiqni më poshtë hapat dhe përgatiteni lehtësisht në shtëpi!

Koha e gatimit: 30 min

Përbërësit

  • 700 gr gjoks pule
  • 5 karrota të prera në gjysmë-hëna
  • 1/2 qepë e madhe e prerë
  • 3 gjethe selinoje të prera
  • 5 thelpinj hudhre të grirë
  • 1 jalapeno i prerë hollë
  • 3 patate të kuqe të mëdha të prera në kube
  • 1 tufë koriandër e prerë
  • 4 kube koncentrat pule Knorr
  • 1/4 filxhan oriz
  • 8 filxhanë lëng pule
  • 1 lugë gjelle shafran
  • 1 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë dhe piper për shije
  • Përbërës shtesë: Avokado dhe Lime

Përgatitja

Hapi 1 | Shtojmë pak vaj ulliri në një tenxhere të mesme dhe e vendosim në zjarr me nxehtësi mesatare. 

Hapi 2| Shtojmë qepët, karrotat, selinonë, jalapenos dhe hudhrën në tenxhere. Vendosim kapakun dhe sigurohemi që perimet të mos marrin ngjyrë. E mbajmë të mbyllur me kapak për 5-7 minuta. 

Hapi 3 | Shtojmë lëngun e pulës në tenxhere bashkë me patatet dhe mishin e pulës. I vendosim të ziejnë dhe më pas i lëmë të marrin një valë të lehtë. 

Hapi 4 | Shtojmë orizin, koncentratet e pulës Knorr dhe shafranin. 

Hapi 5 | I lëmë të ziejnë derisa orizi dhe patatet të jenë zbutur. 

Hapi 6 | E heqim tenxheren nga zjarri dhe shtojmë koriandër.

Hapi 7 | E shërbejmë me avokado dhe lime.

Ribollita nga Italia

ribolitta
Burimi: CookwithGrazia

Ribollita është një supë tradicionale toskane, përbërësit kryesorë të së cilës janë fasulet cannellini, gjethet kale dhe buka e thatë.

Një supë e dashur dhe plot shije, Ribollita krijon një vakt të përsosur për mbrëmjet gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Racione: 6

Përbërësit

  • 220 gr fasule të thata cannellini (1 1/3 filxhan)
  • 1/3 filxhan vaj ulliri ekstra i virgjër
  • ½ qepë
  • 1 karotë
  • 1 kërcell selino
  • 1 thelb hudhër
  • 2-3 gjethe trumzë
  • 1 lugë gjelle kripë
  • 1 patate e mesme
  • 220 gr kale (afërsisht një tufë)
  • ½ lakër Savoy
  • 440 gr pastë domateje ose 1/3 filxhan domate të konservuar ose 1 domate të freskët
  • 220 gr bukë gruri fshati
  • Për shije, piper të freskët të zi

Përgatitja

Hapi 1 | Vendosim fasulet në një tenxhere të vogël, me 4 gota ujë të ftohtë dhe vetëm ½ lugë çaji kripë. I vendosim në nxehtësi mesatare dhe i lëmë të ziejnë.

Më pas ulim zjarrin  dhe i mbulojmë me kapak. I lëmë të ziejnë për rreth 3 – 3 ½ orë. Mund të përdorim dhe lloje të tjera fasulesh, por jo ato të konservuara.

Hapi 2 | Ndërkohë presim karrotën, qepën dhe selinonë. Shtojmë hudhrën. Pastrojmë dhe presim patatet, presim perimet e mbetura në feta ose kube dhe i lëmë mënjanë.

Kur fasulet të jenë gatuar, i heqim dhe ruajmë ujin për gatim më vonë. Në një blender ose procesor ushqimi përgatisim një pure me rreth ¾ e fasuleve dhe e vendosim në ujin e fasuleve. I lëmë menjanë, bashkë me fasulet e tjera të mbetura.

Hapi 3 | Në një tenxhere të madhe përgatisim soffritto: ngrohim në nxehtësi mesatare 1/3 filxhan vaj ulliri ekstra të virgjër dhe shtojmë karrota, selino, hudhër dhe qepë.

I gatuajmë derisa të marrin ngjyrë të artë, rreth 7-8 minuta. Përziejmë shpesh për të shmangur djegien. 

Hapi 4 | Shtojmë gjethet e trumzës, gjysmën e mbetur prej kripës, perimet e mbetura, pastën e domates, purenë e fasuleve me ujë, dhe 4 gota uji. E lëmë në nxehtësi të ulët, të mbuluar, për rreth 1 orë. 

Hapi 5 | Shtojmë fasulet e gatuara më parë dhe bukën e fshatit, të prerë në feta. Përziejmë, i gatuajmë për 5 minuta dhe fikim zjarrin.

Hapi 6 | E lëmë supën të pushojë për të paktën disa orë, ideale do të ishte gjatë gjithë natës. Më pas e ringrohim për disa minuta në nxehtësi të ulët.

Hapi 7 | E shërbejmë me piper të zi të freskët dhe e spërkasim me pak vaj ulliri ekstra të virgjër. Kjo supë tradicionalisht shërbehet pa djathë Parmigiano-Reggiano.

Kapusta nga Polonia

kapusta
Burimi: Afamilyfeast

Mbushur me mish derri, lakër dhe sauerkraut (lakër turshi), Kapusta është një supë tradicionale polake.

Ajo shërbehet me bukë thekre me gjalpë, por mund të kombinohet dhe me oriz kaf.

Koha e përgatitjes: 20 min | Koha e gatimit: 1 orë 45 min | Racione: 8-10

Përbërësit

  • 1.4 – 1.8 kg brinjë mish derri
  • 170 gr mish derri të copëtuar të kriposur
  • 1 ½ filxhan qepë (qepë e madhe)
  • 1/4 filxhan miell
  • 450 gr lakër turshi (sauerkraut) me lëng (gjendet në pjesën frigoriferike të supermarketeve)
  • 1/2 lakër e mesme e prerë
  • 2 kanaçe nga 400 gr domate të ziera
  • 1 lugë gjelle fara kumin Persian
  • 1 lugë çaji kripë
  • 1.8 kg patate
  • Bukë thekre me gjalpë

Përgatitja

Hapi 1 | Vendosim brinjët e mishit në një tenxhere të madhe prej 8 litrash dhe i mbulojmë me ujë deri në krye.

I vendosim që të ziejnë zbuluar, me zjarr të ulët për 45 minuta, duke i larguar shkumën kur fillojnë të ziejnë. Fikim zjarrin dhe i lëmë të pushojnë në ujë për 15 minuta.

Hapi 2 | Ndërsa mish i derrit është duke u gatuar, në një tigan të mesëm gatuajmë mishin e derrit të kripur. E gatuajmë në zjarr të mesëm për 2-3 minuta ose deri sa të fillojë të marrë ngjyrë kafe.

Shtojmë qepët në tigan dhe i skuqim shpejt për 2-3 minuta, sa të zbuten. Ulim zjarrin në nxehtësi të mesme, shtojmë miellin dhe skuqim për 3 minuta. Fikim zjarrin dhe i vendosim mënjanë.

Hapi 3 | Sapo të jenë gatuar, heqim brinjët nga tenxherja dhe i lëmë të ftohen. Ruajmë lëngun në tenxhere.

Hapi 4 | Në tenxheren me lëngun e mishit shtojmë lakrën turshi me lëng, lakrën e prerë, domatet e konservuara, fara kumin dhe kripë.

Shtojmë gjithashtu mishin e derrit të kriposur të gatuar më parë dhe përzierjen e qepëve.

Hapi 5 | Vendosim tenxheren në zjarr të mesëm – të lartë, derisa lakra të jetë gatuar (rreth 30-35 minuta). Ndërkohë që përzierja e lakrës është duke u gatuar, ndajmë mishin nga kockat duke i ndarë në copa të vogla.

E rishtojmë mishin e derrit të gatuar në tenxhere sapo lakra të jetë zbutur dhe e ngrohim në temperaturën e ambientit.

Hapi 6 | Pastrojmë dhe presim patatet dhe i vendosim në ujë të ftohtë, ndërkohë që përzierja e lakrës është duke u gatuar. I vendosim të ziejnë dhe kur të arrijnë zierje mesatare, vendosim patatet për 5-10 minuta ose deri sa të zbuten.

I kullojmë patatet dhe i lëmë të ftohen në temperaturën e dhomës. Sapo gatimi i lakrës të ketë përfunduar, presim patatet në copa të vogla. Mund t’i shtojmë në pjatën finale të lakrës ose si garniturë.

Hapi 7 | Për ta bërë një pjatë tipike polake, i shtojmë bukë thekre me gjalpë.  

Burimi i artikullit: HealthLine