A i keni shijuar ndonjëherë vezët e famshme ‘nju-jorkeze’ Benedict?

Nëse nuk i keni provuar apo gatuar ndonjëherë, atëherë me siguri keni dëgjuar për to dhe mund t’i njihni përmes faqeve të gatimit.

Ato janë aq të famshme saqë gazeta “The New York Times” i quan “një nga pjatat më të sofistikuara Amerikane”. Origjina është pjesë e famës së tyre dhe diskutohet se është pikërisht qyteti i New York-ut.

Pavarësisht historisë, pjata trajtohet si një recetë e kohës, klasike dhe e thjeshtë, me përbërës vezën, muffin Anglez, proshutë Kanadeze dhe salcë Holandeze.

Autor i fotos: Jon Mountjoy

Disa burime thonë se pjata u krijua për herë të parë në New York në vitin 1894. Lemuel Benedict, një financier i Wall Street, porositi pjatën e tij të mëngjesit në hotelin Waldorf-Astoria pasi kishte dhimbje koke nga të pirët e një nate më parë.

Pjata konsistonte në një tost me gjalpë, proshutë krokante, vezë të ziera të vendosura sipër dhe të gjitha mbuluar me shumë salcë Holandeze.

Chefi i restorantit, Oscar Tschirky, mbeti aq i impresionuar pas kësaj pjate saqë vendosi ta përfshijë në menu, por duke zëvëndësuar tostin me muffin Anglez dhe proshutën krokante me proshutë Kanadeze.

Një tjetër skenar mbi origjinën e pjatës përfshin po një financier të Wall Street të quajtur LeGrand Benedict. Në 1895, teksa po drekonte me bashkëshorten në restorantin Delmonico’s në Manhattan, zonja Benedict shprehu se nuk i pëlqente asnjë pjatë nga menuja.

Si rrjedhim, ajo krijoi një pjatë të re me ndihmën e Chefit Charles Ranhofer dhe bashkë e quajtën ‘Vezët Benedict’.

Ndërsa disa historianë të ushqimit mendojnë se receta e vezëve Benedict e ka origjinën shumë më herët dhe jo në New York, por në Itali dhe nga gatimet e murgjve Benedictine të Rilindjes (vitet 1300 – 1600).

Sipas të dhënave, ata konsumonin një pjatë të veçantë që përmbante vezë të ziera dhe pure të peshkut merluc.

Mesa duket, kjo pjatë ushqyese nuk ishte e vetmja për të cilën dalloheshin murgjit. Publikimi i një libri me 12 receta shfaq një dietë dhe stil tërësisht unik të të ushqyerit, që konsistonte kryesisht në pjata me përbërës të rrallë dhe shumë të shtrenjtë për periudhën.

Burimi: Pinterest

Pavarësisht historive, receta e vezëve Benedict cilësohet si një pjatë e përjetshme për shkak të thjeshtësisë dhe shijes së saj të veçantë. Edhe pse origjina mbetet një mister, në ditët e sotme pjata është shumë e kërkuar dhe shërbehet në shumë restorante në botë.

Nëse dëshironi të përgatisni recetën në shtëpi, ju sugjerojmë të ndiqni hapat në këtë link: https://www.cooksinfo.com/eggs-benedict

Burimi i artikullit: Reader’s Digest