Zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zbuluan rezultate të papritura dhe një komb me opinione ekstremisht të ndryshme.

Argumentet midis përkrahësve dhe kundërshtarëve të presidentit Donald J. Trump u bënë qendra e diskutimeve në tryezat e darkës dhe në platformat e mediave sociale.

Rezultat i kundërshtimit ndaj vendosjes së presidentit të ri ishte dhe ky sandwich simbolik me emrin e vetë presidentit.

I shërbyer kryesisht gjatë vaktit të drekës, ai përgatitet me disa përbërës shumë të zakonshëm: bukë e bardhë, mish Bologna (i ngjashëm me sallamin parizier), sallatë ruse, dhe si garniturë një kastravec të vogël turshi.  

Çdo përbërës është një referencë për çështje të ndryshme të lidhura me Trump-in, që kanë krijuar debate dhe tituj në media këto vite. Le t’i shpjegojmë ato më poshtë:

Përdorimi i bukës së bardhë simbolizon çështjet mbi racën dhe qëndrimin racist që presidenti mbajti gjatë zgjedhjeve. Dhe pas dy viteve në pushtet, kjo temë mbetet shumë aktuale në debatin kombëtar Amerikan.

Mishi Bologna simbolizon “baloney”, i cili është një term i zhargonit amerikan, që nënkupton gënjeshtra apo fjalë të pakuptimta.

Shumë besojnë se fjalimet e presidentit Trump janë pikërisht të tilla, në premtimet e tij elektorale, por dhe në retorikën e përditshme në rrjete sociale apo dalje në media.

Burimi: New York Post

Ndërkohë, sallata ruse shërben si referencë për hetimin ndaj marrëveshjes së mundshme mes ekipit të presidentit dhe agjentëve rusë gjatë zgjedhjeve të 2016-ës.

Kjo temë u diskutua për një kohë të gjatë, pasi mendohet se lidhet me thyerjen e privatësisë së Facebook dhe krijimin e shumë profileve falso.

Përbërësi i fundit, që është kastraveci i vogël turshi, përdoret si detaj që simbolizon burrërinë e presidentit.

Jo të pakta kanë qenë lajmet mbi skandalet dhe akuzat e ngritura ndaj presidentit, apo retorika dhe fjalori i tij jo i përshtatshëm ndaj grave.

Mjaft popullor në Amerikë, sandwich-i mendohet se është një krijim satirik i partive të majta. Ai konsumohet shpesh në mensat studentore të qyteteve universitare dhe në shtete ku përqafohet një politikë më liberale se ajo e presidentit Trump.

Burimi: Gastro Obscura