Hudhra është një nga erëzat më të çmuara në kulinari dhe nga bimët më të vjetra të kultivuara në botë.

Ajo i përket familjes Liliaceae, ku përfshihen perimet e gjelbra si prasi, qepët e njoma dhe të thata, të cilat dallohen për aromën dhe shijen e tyre të mprehtë. 

Përdorimi i hudhrës daton rreth 5000 vite më parë. Legjendat thonë se ishin faraonët egjiptianë të parët që nisën të çmonin vlerat e saj.

Sipas tyre thuhet se faraonët u jepnin racione të përditshme skllevërve që ndërtonin piramidat, për t’i mbajtur të fortë dhe energjikë.

Gjatë gjithë historisë dhe nga shumë kultura të tjera, hudhra është konsideruar një ilaç i rëndësishëm.

Gjatë epidemive si kolera dhe tuberkulozi gjatë Luftës së Parë Botërore, ajo përdorej si antiseptik, për të pastruar dhe shëruar plagët, apo për të trajtuar dizenterinë nga kushtet jo të mira sanitare.

 

 

Vlerat ushqyese

 

Hudhra është burim i shkëlqyer i vitaminës B6 (pyridoxine).

Është gjithashtu një burim shumë i mirë i manganit, selenit dhe vitaminës C.

Përveç kësaj, hudhra përmban minerale si fosfor, kalcium, kalium dhe hekur.

 

 

Në 100 gr hudhër gjejmë:

149 kalori

6.4 gr proteina

0.5 gr yndyrë

33.1 gr karbohidrate

2.1 gr fibra

Mendohet se shumë nga efektet terapeutike të hudhrës janë për shkak të përbërësit aktiv të quajtur Allicin.

Ky përbërës që përmban squfur, i jep hudhrës aromën dhe shijen e saj të veçantë e të mprehtë.

 

Përfitime të tjera

 

Sipas kërkimeve shkencore, hudhra ka potencialin për të zvogëluar rrezikun nga sëmundjet e zemrës, niveli i lartë i kolesterolit dhe kanceri.

Disa studime sugjerojnë se hudhra bën që trombocitet (qelizat që bëjnë mpiksjen e gjakut) të kenë më pak të ngjarë të grumbullohen dhe të rrinë në muret e arterieve.

Ajo vepron si antikoagulant dhe redukton rrezikun e sulmeve në zemër.

 

 

Komponimet sulfurike në hudhër kanë aftësinë të pengojnë qelizat kanceroze dhe të bllokojnë tumoret, duke ngadalësuar replikimin e ADN-së.

Gjithashtu, hudhra ka një histori të gjatë si luftuese e infeksioneve.

Ajo shpesh referohet si ‘penicilina ruse‘, për shkak të vetive të saj antibakteriale. 

 

Si ta zgjedhim dhe ruajmë

 

Për aromë më të mirë dhe përfitime maksimale shëndetësore, blini dhe konsumoni hudhër të freskët.

Hudhra pluhur ose pastë është më e favorshme dhe e lehtë në gatim, por nuk është aq e mirë sa hudhra e freskët.

 

 

Hudhra e freskët ruhet shumë mirë në temperaturë dhome, në një enë të zbuluar e në një vend të ftohtë dhe të errët, larg nga ekspozimi ndaj nxehtësisë dhe rrezeve të diellit.

Pavarësisht nga lloji i saj, një hudhër mund të ruhet nga 2 javë deri në 2 muaj.

 

Burimi i artikullit: bbcgoodfood.com