0 / 5

Ideale Për Vegjetarianët

Sallatë ruse

Receta e sallatës ruse është një nga pjatat e preferuara në tryezat shqiptare, sidomos në rastet e gëzimeve familjare apo festave të fundvitit. Kjo sallatë e shijshme me perime të freskëta nën salcën e majonezës shoqëron në mënyrë fantastike gatimet e tjera të tryezës, për t'u shijuar me pjesëtarët e familjes. Sallatës mund t'i shtoni dhe përbërës të tjerë, të cilët krijojnë shije të reja dhe dinamike, duke pasuruar ato tradicionale.

Përbërësit Kryesorë: fasule, bizele, karrota, patate, majonezë

3310

Përbërësit

100 gr fasule të ziera

100 gr bizele të ziera

100 gr karrota të ziera

100 gr patate të ziera

Majonezë

1 limon (i shtrydhur)

Pak vaj ulliri

Kripë

Piper

Këshilla

  • Mund të përdorni fasule të kuqe ose të bardha dhe të shtoni kastravec turshi sipas preferencave dhe shijeve.
  • E ruajmë në frigorifer për 7 ditë.

Fakte Mbi Të Ushqyerit

Servirja për 100 gr

Energjia (kJ)

845

Kaloritë (kcal)

204

Yndyrnat Totale (g)

17

Kripa (g)

0.24

Proteina(g)

3.1

Karbohidratet Totale (g)

8.8

Fibrat Dietike (g)

3.1

Sheqernat (g)

1.8

Udhëzimet

Hapi 1I lajmë fasulet dhe i ziejmë për 15 minuta në një enë. Më pas e ndërrojmë ujin, kullojmë fasulet dhe i vendosim sërish në enë me ujë të pastër për t'i zier për 30 minuta. Hedhim kripë dhe vaj ulliri. Kujdesemi që fasulja të mos shformohet.

Hapi 2Lajmë dhe pastrojmë patatet, i vendosim në një tenxhere tjetër me ujë të ngrohtë për t'i zier. Të njëjtën gjë bëjmë dhe për karrotat në të njëjtën enë.

Hapi 3Pasi të jenë zbutur, i heqim nga tenxherja dhe i kullojmë, bashkë me fasulet që vendosëm në fillim.

Hapi 4Vendosim për të zier bizelet në tenxheren me ujë ku kishim patatet dhe karrotat. Kujdesemi që bizelja të mos shformohet.

Hapi 5Kur të jenë zier bizelet, i bashkojmë me perimet dhe legumet e tjera. Presim në kubikë të vegjël patatet dhe karrotat. I vendosim të gjithë përbërësit në një pjatë sipas sasive që dëshirojmë. Shtojmë majonezë, lëng limoni dhe i përziejmë.

Hapi 6E provojmë salcën e sallatës dhe nëse ka nevojë i shtojmë kripë, vaj ulliri. I përziejmë sërish përbërësit dhe e vendosim në frigorifer.