Përgatisni shumë lehtë këto 5 receta kur të planifikoni piknikun gjatë fundjavës.

 

Sallatë me perime

 

 

Përbërësit

  • 1/4 lakër
  • 1/2 tufë sallatë jeshile
  • 100 gr misër i zier
  • 2 karrota
  • 1 spec i verdhë
  • 1/2 avokado
  • 1/2 mango
  • 1 kastravec
  • 6 domate qershi
  • 1 limon jeshil
  • 70 ml vaj ulliri të aromatizuar
  • 1 tufë majdanoz
  • Kripë dhe piper

 

Përgatitja

Hapi 1 | Perimet e pastruara i presim sipas dëshirës (domatet në 2 pjesë, limonin në 8 pjesë).

Hapi 2 | I përziejmë të gjitha bashkë në një enë të thellë.

 

Shishqebap me mish gici dhe speca

 

 

Përbërësit

  • 600 gr mish qafë gici
  • 3 speca (nga një spec për cdo ngjyrë: i kuq, i verdhë, jeshil)
  • 2 domate
  • 1 qepë
  • 50 ml vaj të aromatizuar
  • 1 lugë kafeje rigon
  • 1 tufë majdanoz i grirë
  • Kripë dhe piper

 

Përgatitja

Hapi 1 | Lajmë perimet dhe i presim në kubikë të mëdhenj (qepën në feta). Presim mishin në kubikë të mëdhenj (rreth 3 cm).

Hapi 2 | I vendosim të gjithë bashkë duke shtuar dhe erëzat, perimet e vajin në një enë që të marinohen (minimumi 3 orë, maksimumi 12 orë).

Hapi 3 | Në një shkop për shishqebap vendosim me radhë një kub mish dhe një ose dy perime njëri pas tjetrit.

Hapi 4 | I pjekim në skarë ose në tigan skarë, sipas mundësisë.

 

Burger me patate të pjekura

 

 

Përbërësit

  • 400 gr mish viçi i grirë
  • 1 tufë sallatë Valeriana
  • 6-8 feta djathë Gouda
  • 1 domate
  • 1 lugë mustardë
  • 1 lugë ketchup
  • 1 avokado
  • 2 domate
  • 1 qepë
  • 1 tufë majdanoz
  • Kripë, piper
  • 50 ml vaj ulliri të aromatizuar

 

Përgatitja

Hapi 1 | Grijmë imët qepën, domaten (në rénde) dhe majdanozin. I vendosim në një enë bashkë me mishin e grirë, kripën, piperin.

Hapi 2 | I punojmë me duar që të bëhet si masë brumi dhe lëmë mënjanë. Pas 10-15 minutash i bëjmë në toptha, i shtypim e i bëjmë si petëza dhe i vëmë për të pjekur në tigan skarë.

Hapi 3 | Hapim bukët e burgerit në dy pjesë dhe i lyejmë me ketchup e majonezë. Vendosim brenda burgerin e pjekur, fetat e avokados, të domateve, dhe të djathit Gouda dhe sallatën Valeriana.

 

Sallatë frutash

 

 

 

Përbërësit

  •  1 kivi
  • 1 portokall
  • 1 mollë
  • 1 pjeshkë
  • 1/2 pjepër
  • 1 mango
  • 10 luleshtrydhe
  • 100 ml lëng qershie
  • 10 gjethe mente (ose mendërz)
  • Pak lëng limoni

 

Përgatitja

Hapi 1 | Pasi i kemi pastruar mirë të gjitha frutat, i presim në kubikë ose në forma të tjera sipas dëshirës. I përziejmë në një enë të thellë dhe e lëmë të marrin shijen e njëra-tjetrës.

Shënim: Kjo sallatë mund të bëhet me fruta të stinës apo me frutat që dëshironi. Nëse sallata nuk përmban fruta të lëngshme, si portokall, duhet ti shtoni pak lëng limoni, që të mos oksidohen (të mos marrin ngjyrë kafe në sipërfaqe).

 

Limonadë

 

 

 

Përbërësit

  • 4 gota uji lëng limoni
  • Lëkura e 3 limonëve
  • 1 kg sheqer
  • 3 gota ujë

 

Përgatitja

Hapi 1 | Ziejmë sheqerin, ujin dhe lëkurën e limonëve në zjarr të ngadaltë për 10 minuta.

Hapi 2 | E lëmë shurupin të ftohet dhe më pas shtojmë lëngun e limonit dhe 9 gota me ujë (ujin mund ta shtojmë sipas dëshirës, në mënyrë që të përftohet një limonadë e fortë ose e lehtë).

Hapi 3 | Kullojmë limonadën dhe e lëmë të ftohet. E vendosim në një shishe të mbyllur mirë, të cilën e mbajmë në frigorifer.

 

 

Shkëputur nga libri “Sekretet e Shijes”