Ju ftojmë të lexoni mbi ëmbëlsirën tradicionale ruse që përkujton shijen e ëmbël të vendit pas fitores ndaj perandorit francez Napoleon Bonaparti në dimrin e vitit 1812.

Torta e Napoleonit është një pjatë e pranishme në tryezat festive të Vitit të Ri në familjet ruse.

Ajo përbëhet nga të paktën 8 nivele (dhe ndonjëherë më shumë se 20) të shtresave të alternuara me pastë dhe krem karamel.

E famshme ashtu si perandori ndaj të cilit ka marrë emrin, kjo tortë është shndërruar në një pjatë kombëtare ruse, e frymëzuar nga ëmbëlsira franceze “mille-feuille“.

Burimi: Will Cook for Smiles

Në 1912, versioni i parë i tortës u përgatit për të nderuar 100 vjetorin e mposhtjes së Napoleonit dhe trupave të tij. Ky version i tortës kishte përmasa shumë më të vogla.

Ajo shërbehej me një pastë të vetme, ishte e mbushur me një lloj kremi dhe kishte formë të ngjashme me kapelen trekëndore Bicorne të ushtarëve francezë.

Burimi: Daily Mail

Me kalimin e viteve, torta e Napoleonit pësoi disa transformime. Gjatë Revolucionit Rus, përgatitja e saj kërkonte më pak vezë dhe gjalpi u zëvendësua me margarinën.

Versioni final i tortës, ai që njihet dhe sot, përbëhet nga shumë nivele dhe është i mbuluar nga pasta të copëtuara, të cilat disa pretendojnë se simbolizojnë borën, që dyshohet se i ndihmoi rusët të mposhtnin Napoleonin.

Pjekja e tortës është pak a shumë një ‘betejë’ më vete. Përgatitja e saj kërkon zakonisht disa orë në përqëndrim të plotë.

Megjithatë, sado e lodhshme që është përgatitja, që prej vendosjes së shtresave të pastës, mbushjes së kremrave, procesit të ftohjes dhe procesit të rregullimit,  produkti final është fantastik në shije dhe unik në të kaluarën dhe historinë që përcjell.

Nëse dëshironi të përgatisni një version të ngjashëm të tortës, ju sugjerojmë recetën në këtë faqe: https://www.willcookforsmiles.com/napoleon-cake/

Burimi i artikullit: Gastro Obscura